Mire se vini!!
Çfarë duhet të dijë një punëdhënës për Personat me Aftësi të Kufizuar
Çfarë duhet të dijë një punëdhënës për Personat me Aftësi të Kufizuar
Kush quhet person me aftësi të kufizuar?
“Persona me aftësi të kufizuar” janë të gjithë ata persona që kanë dëmtime afatgjata fizike, mendore, intelektuale ose ndijore, dëmtime të cilat në bashkëveprim me barrierat e ndryshme, përfshirë ato mjedisore dhe të qëndrimit, mund të pengojnë pjesëmarrjen e plotë dhe efikase të këtyre personave në shoqëri, në kushte të barabarta me të tjerët. (Neni 3, 1, i Ligjit Nr. 93/2014, “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuar).
Sa i njohin punëdhënësit vështirësitë e personave me aftësi të kufizuar për të gjetur punë?
Tipologjitë kryesore të aftësisë së kufizuar janë:
- aftësi e kufizuar fizike:
- aftësi e kufizuar psiko sociale;
- aftësi e kufizuar intelektuale dhe
- aftësi e kufizuar shqisore ku përfshihen personat me dëmtim apo humbje të shikimit dhe persona me dëmtim apo humbje të dëgjimit apo të folurit).
Një person mund të ketë një ose një kombinim aftësish të kufizuar, që nga lindja apo të fituara më vonë. Punëdhënësit duhet të jenë të ndërgjegjshëm për vështirësitë me të cilat përballen njerëzit me aftësi të kufizuar për të gjetur punë.
Cilat janë hapat për inkurajimin e punësimit të njerëzve me aftësi të kufizuar?
Hapi i parë - të kuptuarit dhe të pranuarit e nevojave të ndryshme të personave me aftësi të kufizuar;
Hapi i dytë - pranimi i aftësive të tyre, duke ofruar ndihmë e mbështetje, ashtu si për njerëzit pa fatësi të kufizuar. Ka njerëz me aftësi të kufizuar shumë të arsimuar dhe të trainuar që mund të kryejne detyrat në vendin e punës me pak ndihmë ose pa aspak ndihmë.
Hapi i tretë - të kuptosh se ankthi që përjeton një person në deklarimin e aftësisë së kufizuar është i justifikueshëm. Gjatë procesit të përzgjedhjes dhe rekrutimit çdo person me apo pa aftësi të kufizuar përjeton gjendje ankthi. E rëndësishme është që punëdhënësi ta trajtojë informacionin në të njëjtën mënyrë.
Cilat janë disa parime për reagimin e punëdhënësit kur një individ deklaron se ka një aftësi të kufizuar?
- Përqasuni trajtimit të informacionit me mendje të hapur dhe në mënyrë pozitive e konstruktive, duke e kuptuar sfidën e deklarimit të një aftësie të kufizuar në rrethanat e rekrutimit apo ruajtjes së vendit të punës.
- Jepini kohë t’ju shpjegojë aftësinë e kufizuar, pasi mund të jetë nervoz duke qenë se duhet t’i besojë një informacion kaq personal një punëdhënësi të huaj dhe mund t’i trembet një reagimi negativ.
- Trajtojeni informacionin në mënyrë konfidenciale
- Mund ta pyesni nëse kërkon ndonjë mbështetje në punë. Mund të jetë në gjendje t’ju thotë për çfarë lloj mbështetje ka nevojë apo ku të gjeni informacion.
- Kontaktoni institucionet përgjegjëse të punësimit për të pyetur çfarë fondesh mund të jenë të vlefshme për ju, për mbështetjen e punësimit të kandidatit me aftësi të kufizuar.
- Në rast interviste, mos u largoni nga lista e pyetjeve të intervistës. Është shumë e rëndësishme t’u bëhen të njëjtat pyetje të gjithë kandidatëve.
- Mos bëni pyetje për aftësinë e kufizuar të cilat nuk lidhen me performancën në punë apo mbështetjet e kërkuara në vendin e punës.
- Në përfundim mos merrni vendime të prera apo të nxirrni përfundime bazuar në aftësinë e kufizuar të personit.


