Mire se vini!!
Ligj nr. 15/2019 “Për nxitjen e punësimit”
3. Ligj nr. 15/2019 “Për nxitjen e punësimit”
Në ligjin “Për nxitjen e punësimit” janë parashikuar disa dispozita, të cilat trajtojnë çështjen e personave me aftësi të kufizuar me qëllim përshtatjen e programeve dhe shërbimeve, nxitjen përmes një trajtimi me përparësi në punësim, duke përfshirë aftësim dhe rehabilitim për punë që përkufizohen si shërbime mbështetëse dhe asistencë për vlerësimin e aftësisë për punë të personit me aftësi të kufizuar, të cilat ofrohen nëpërmjet:
a) informimit, këshillimit profesional, vlerësimit të aftësive profesionale dhe gjetjes së punës;
b) vlerësimit të mundësisë për aftësim, dhe hartimit të programeve përkatëse;
c) aftësimit profesional, kualifikimit plotësues, rikualifikimit me programet e mbajtjes dhe përmirësimit të aftësive të punës deri në momentin e punësimit që janë punëkërkues jo në avantazh në tregun e punës.
Në ligj janë përfshirë gjithashtu edhe konceptet e përshtatjes së arsyeshme dhe punësimit të përshtatur. Shërbimet e punësimit ofrohen në tri nivele pa pagesë për të gjithë përfituesit, përfshirë persona me aftësi të kufizuar:
a) shërbimet e informimit për punëkërkuesit, punëdhënësit dhe për çdo person të interesuar;
b) ndërmjetësimi për punësim;
c) këshillimi dhe orientimi për karrierë, punësim e profesion.
Ligji parashikon që informacioni ofrohet në forma dhe formate që janë të arritshme e të kuptueshme për punëkërkuesit persona me aftësi të kufizuar, përfshirë personat që nuk dëgjojnë dhe invalidët e punës të vlerësuar pjesërisht të aftë për punë nga komisionet përkatëse. Sipas këtij ligji, procesi i ndërmjetësimit shoqërohet me vlerësim të detajuar. Në Ligj janë parashikuar programet e nxitjes së punësimit, të cilat përfshijnë angazhimin e punëkërkuesve të papunë në programe të ndryshme punësimi, punësh publike, vetëpunësimi, praktikash profesionale apo trajnimi, për të cilat parashikohet subvencionim, në përqindje të caktuar, i kostove për:
a) sigurimet e detyrueshme shëndetësore dhe shoqërore;
b) pagat;
c) formimin profesional;
ҫ) formimin nëpërmjet punës;
d) vetëpunësimin;
dh) mbështetjen për bizneset e reja dhe inkubatorët e biznesit;
e) pajisjen e vendit të punës dhe përshtatjen e arsyeshme;
ë) zbatimin e programeve për mbështetjen e kualifikimit profesional në formën e dyfishtë të arsimit dhe formimit profesional;
f) punësimin e të diplomuarve/certifikuarve në arsimin e formimin profesional;
g) praktikat profesionale;
gj) programin e garancisë rinore;
h) programet e riintegrimit social;
i) transportin për në vendin e punës;
j) ndjekjen e kopshteve dhe çerdheve për fëmijët në ngarkim;
k) të tjera.
Për formimin profesional parashikohet që parimet, mënyrat e veprimit dhe metodat e përgatitjes profesionale, të zbatuara, përgjithësisht, në programet e formimit profesional të personave jo me aftësi të kufizuar, zbatohen në rastin e personave persona me aftësi të kufizuar, përfshirë personat që nuk dëgjojnë dhe invalidët e punës të vlerësuar pjesërisht të aftë për punë nga komisionet përkatëse. Për këtë grup zbatohen elementet e përshtatjes së arsyeshme, për sa i përket programeve të veçanta të trajnimit, kurrikulës së përshtatur në përputhje me shkallën dhe llojin e aftësisë së kufizuar, trajnerëve/mësuesve të përgatitur për të ofruar trajnim të posaçëm për këtë kategori.
Ligji përmban detyrimin për respektimin e kuotave për punësimin personave me aftësi të kufizuar. Çdo punëdhënës duhet të punësojë një person me aftësi të kufizuar për 25 punonjësit e parë të ndërmarrjes; dhe nga një person shtesë për çdo 50 punonjës të tjerë të ndërmarrjes. Ligji parashikon edhe penalizime të punëdhënësit në rast të mospunësimit të numrit të përcaktuar të personave. Ai detyrohet të derdhë një kontribut për llogari të Fondit Social të Punësimit (që krijohet me këtë ligj), në masën 100 për qind të pagës minimale në shkallë vendi, për çdo muaj, për çdo person që ai duhet të kishte punësuar. Kjo përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga inspektorati shtetëror që mbulon fushën e punës, sipas përcaktimeve të bëra nga legjislacioni në fuqi për inspektimin e punës. Punëdhënësit, publikë apo privatë, gjithashtu janë të detyruar të sigurojnë ruajtjen e vendit të punës për ata individë, të cilët, në kohën e punësimit nuk kanë qenë me aftësi të kufizuar, por janë bërë me të nga aksidentet në punë ose nga sëmundjet profesionale.
Ligji krijon Fondin Social të Punësimit, i cili financiarisht mbështetet në kontributet e derdhura në llogari të Fondit, nga punëdhënësit që nuk respektojnë kuotat e punësimit për personat me aftësi të kufizuar dhe të ardhura të tjera. Fondet që vijnë si kontribute nga mosplotësimi i kuotave përdoren për programe që synojnë punësimin, vetëpunësimin, rehabilitimin për punë, aftësimin dhe riaftësimin profesional, orientimin dhe këshillimin për punësim, shërbime mbështetëse, rikonstruksion dhe përshtatje të vendit të punës, programe riintegrimi social, mbështetje për nxitjen e punësimit të familjarëve të personave me aftësi të kufizuar. Këto të ardhura nuk mund të përdoren për qëllime të tjera, përveç atyre të parashikuara. Ky fond administrohet nga Bordi i Administrimit të Fondit.
Punëdhënësit kanë të drejtë të kërkojnë subvencion nga struktura përkatëse rajonale/vendore për rikonstruksion dhe përshtatjen e vendit të punës, për çdo person me aftësi të kufizuar.
Për më tepër klikoni linkun


